Ramazan Çeka

ACTV – Tirana

Ramazan Çeka
Ramazan Çeka duke filmuar kronik për Televizionin “Kultura Shqiptare”.

Për shumë vite jam aktivizuar në sektorin e artit dhe kulturës, duke u specializuar edhe në kurse të drejtimit kulturor, për t’u bërë më vonë edhe punonjës i artit dhe kulturës, gjë të cilën e kam ushtruar rreth 20 vjet.

Me krijimtari artistike, kryesisht në fushën e poezisë jam marrë që në moshë të re. Këtë krijimtari e kam intensifikuar më shumë pas viteve ’90 dhe nga pena ime janë shkruar me qindra tekste e poezi që janë kompozuar nga emra të shquar të muzikës shqiptare, si dhe janë interpretuar nga këngëtarët më të njohur shqiptarë.

Një fushë tjetër që kam lëvruar me pasion është edhe ajo e gazetarisë, ku në gazeta prestigjoze shqiptare si: Telegraf, Dita, Shekulli, Nacional, Sot, Tema, Koha Jone, etj, në ato kosovare, në Ulqin e deri në Amerikë, gazeta Bota Sot dhe Vatra etj. Kam botuar një cikël shkrimesh për personalitete të shquara të kulturës shqiptare, si dhe herë pas here kam pasqyruar aktivitete të rëndësishme kulturore e artistike të zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë, deri në SHBA.

Këtë punë e kam bërë me shumë pasion dhe vërtetësi dhe kam marrë shumë vlerësime nga personalitete dhe shoqata të ndryshme të kësaj fushe.

Në planet e mia janë edhe tre libra: Një monografi për “Mjeshtrin e Madh” Bujar Qamili, një përmbledhje artikujsh dhe portretesh të personaliteteve të kulturës dhe artit, si dhe një vëllim me poezi nga krijimtaria ime.

Vlerësimi i kësaj pune janë edhe çmimet që më janë akorduar ndër vite nga shoqata dhe organizata të ndryshme, deri tek festivalet e fëmijëve.

Kjo është jeta ime artistike, prej 45 vitesh në art e kulturë, ku me punë e pasion kam mundur të çoj vlerat artistike të krijimtarisë sime tek artëdashësit, ku vazhdoj të kem një aktivitet shumë intensiv në vazhdimësi.