Një jetë…disa histori dhe Jeta e një komuniteti në ekran. Albanian Culture TV është një ndër ekranet më të vjetra të Diasporës shqiptaro-amerikane…

0

Një jetë…disa histori dheJeta e një komuniteti në ekran. Albanian Culture TV është një ndër ekranet më të vjetra të Diasporës shqiptaro-amerikane me qendër në Nju Jork, SHBA.Transmetimet e para të këtij televizioni datojnë në nëntor të vitit 1997, pra natyrshëm lidhen ngushtë me një moment delikat që kalonte Shqipëria e asaj kohe e cila në të shumtën e rasteve është një përmendore e vërtetë atdhedashurie për shqiptarët e Amerikës.
Bashkëthemeluesit e këtij televizioni Adem dhe Mimoza Belliu e kanë trashëguar këtë kontribut me vlerë edhe tek fëmijët e tyre Gertolt dhe Vera Belliu. Një kombinim i përkryer brezash por edhe njohurish dhe kompetencash çka e bën këtë ekran të pranueshēm për të gjithë ata që gjuhën, traditën ,personalitetet dhe veprimtaritë e komunitetit duan ti ndjekin dhe përçojnë ndër brezat dhe familjeve të tyre. Kontaktet e mia me Albanian Culture TV janë pothuajse 7 -vjeçare. Një udhëtim që iu bashkangjit jetës së këtij televizioni nëpërmjet emisionit “ Një jetë…disa Histori” . Duke qenë një banore e re e komunitetit shqiptaro -amerikan shumë nga tiparet e këtij komuniteti i shikoja me sy admirues , krahasues, vlerësues ,çka u bë më pas frymëzim në ecurinë e ciklit “Një jetë…disa histori “.
Në Nju Jork vihej re dukshëm bujaria shqiptare, ambicjet për të ndërtuar prona e biznese karrierë dhe art në shtetin që t’i krijon mundësitë. Veprimtaritë patriotike për nder të festave kombëtare ishin nevojë e domosdoshme dhe jo sforcim pasi tek shumë të emigruar nga atdheu i para viteve 90-të , dashuria dhe malli për të janë edhe dhimbje gjithashtu , për arsyje që tashmë dihen por edhe nuk duhen harruar.E kisha të pamundur të rrija indiferente ndaj iniciativave individuale dhe kolektive të cilat kanë në thelb solidaritetin dhe ndihmën ndaj dikujt që ka nevojë .Fenomeni i mbajtjes gjallë të gjuhës shqipe në diasporën amerikane i ka rrënjët thellë në brezat e parë që emigruan këtu , ata që edhe pse u adaptuan plotësisht me jetën amerikane e ndjenë se sa rol , peshë dhe rëndësi ka gjuha jonë si simbol përbashkues.
”Një jetë …disa histori “nisi ti jepte jetë asaj studio televizive duke e sjellë ‘’ajkën “ aktive komunitare në një tryezë mendimesh, veprimesh dhe problematikash. Historitë e shqiptarëve të thjeshtë vinin në studio të rrëfyera thjesht, pa truke artistike, por me gjuhën e të vërtetës dhe disa prej tyre janē të denja për kinematografi, dokumentarë dhe libra. “Një jetë …disa histori “ po bëhej një portë pritëse edhe e shqiptarëve të shumtë që vizitonin Amerikën dhe promovonin atdheun këtu përmes librash, koncertesh, eventesh dhe ku natyrshëm televizioni mbetet një mjet i cili i memorizon në mënyrë të përsosur këto akte me vlera te ndersjella andej dhe ketej oqeanit. “Një jetë…disa histori “ po sillte në ekran personazhe të reja , artistë, shkrimtarë, studjues, mendimtarë, profesionistë të cilët me veprimet e tyre e bënë edhe më shumë dinamike jetën e komunitetit të vjetër shqiptaro-amerikan , duke prezantuar në këtë mënyrë të renë e gjallë që i jep jetë bërthamës shqiptare në Amerikë dhe po ashtu merr jetë prej saj . Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra ishtë fondamentale në arkivin e këtij televizioni dhe po e tillë do të mbetej edhe për mua , madje shumë herë jam shprehur se ky ekran është :”vatër e Vatrës dhe e çdo shqiptari qëllim mirë dhe akt bukur”.
Motrat Qiriazi gjithashtu u bënë pjesë e vëmendjes por edhe admirimit tim për faktin e cilësisë së përmbajtjes së eventeve por edhe të jetgjatësisë që i ka bërë edhe më vitale këto vajza ; motra e nëna kaq prezente në jetën e këtij komuniteti. Një televizion shqiptar në Amerikë mundet të shndërrohet në një universitet ku traditën , gjuhën , individualitetet i transmeton çdo ditë si një program i fuqishem edhe informacioni por edhe patriotizmi kaq i domosdoshēm në ditët tona.
Është një rast unik për të kuptuar se sa e rëndësishme është prezenca e komuniteteve aktive, individëve të gjallë e vitalë , individualiteteve me vlera të cilat janë lënda e parë e ekranit duke sendërtuar kështu një marrdhënie jetike që jep dhe merr dhe që vërteton formulën se komunitetet aktive i bëjnë mē të gjalla ekranet e diasporës. E ndoshta kjo është edhe arsyeja pse Personazhet e “Një jetë…disa histori “ linin gjurmë në shënimet e mia , me botën e tyre të gjërë të mendimit por edhe të spontanitetit, me dinamizmin e prurjeve , me gjuhën e zhdërvjellët të shqipes së përbashkët e cila në ekran është si ajo derrasa ku mësuesi i mirē shkruan dhe shpjegon çka din por me një metodë që është unike dhe të tillë e bën magjia e ekranit dhe kapaciteti intelektual i personazheve plus esencialiteti pyetesor.
“Një jetë…disa histori ”në mënyrë sistematike solli në ekran protagonizmin e fëmijëve që mësojnë të flasin shqip duke ndjekur shkollat shqipe këtu, televizionet apo edhe veprimtaritë e komunitetet, e ku disa e mesojne thjesht nga prezenca e gjysherve ne rritjen e tyre, madje fëmijët në studjon e ACTV me shqipen e folur me vështirësi por vullnetplotë për ta përsosur kanë sjellë emocionet më të bukura e te paharrueshme në atë studio që duket se merr jetë pas çdo të ftuari, pas çdo bisede.
Televizioni Kultura Shqiptare e ka zgjeruar spektrin e vet në këto vite duke sjellë në ekran për shikuesit e vet edhe Pasqyrën Shqiptare të Kanadasë, edhe Diaspora debaton të Beqir Sinës , edhe kronikat e larmishme nga Kosova dhe Tirana. Sepse ekrani i tillë duhet të jetë në fund të fundit; i të gjithëve që dijnë ti sjellin dritën e realitetit që jetojmë kur vullnetet dhe egoizmi nuk na pengon , përkundrazi na nxit ta shohim edhe më mirë jetën dhe motivet që i japin kuptim asaj . Marjana Bulku (maj 2020).

Share.

About Author

Leave A Reply